Shkolla në Llapushnik - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Maratona e ndërtimit të shkollës në Llapushnik

Me letra, Llapushniku është dashur ta ketë shkollën e re tash e një vit e gjysmë më parë.

Por zilja e shkollës fillore ‘Hasan Prishtina’ në Llapushnik të Drenasit ende bie në objektin e vjetër, pasi që punimet në objektin i ri për më shumë se 4 vite nuk po kryhen.

Të mjerueshme e cilësojnë gjendjen e shkollës së vjetër edhe vet mësimdhënësit.

Sadik Krasniqi, mësimdhënës në këtë shkollë, thotë për KALLXO.com se fajtor për këtë gjendje është vonesa në objektin e ri.

“Shkolla siç po e shihni edhe vet gjendet në një gjendje të mjerueshme duke filluar nga objekti nga mjetet mësimore, inventari shkollor e deri te ambienti i jashtëm krejt këto janë pasojë e vonesës se objektit të ri i cili ka pasur të përfundojë për 22 muaj”, tha ai.

Krasniqi thotë se përfundimi i objektit të ri ishte paralajmëruar për muajin tetor të vitit të kaluar por edhe një shtator i bashkoi nxënësit në këtë objekt.

“Edhe pse është premtu që brenda dy jave në muajin tetor do të fillojë shkolla, ato dy jave shkuan, dy muaj edhe sot jemi në këtë gjendje që kjo shkollë ma së paku i plotëson kushtet me qenë shkollë”, tha ai.

Përveç vonesave disavjeçare, kompania kontraktuese “Stublla” nga Lipjani akuzohet edhe për cilësinë e dobët në punët që ka kryer.

Koordinatori i cilësisë në këtë shkollë, Alush Thaçi thotë se punimet nuk janë kryer ashtu siç janë paraparë në projektin e shkollës.

“Akoma pa u lëshu në përdorim klasa po pikon, salla e sportit, shkallët që janë të parapara të punohen me mermer tani janë me pllaka të llojit tjetër, pastaj kulmi nuk është ashtu siç duhet të jetë në parametrat e paraparë, po ashtu dyshemeja sipas hartimit të planit të shkollës”, tha ai.

Thaçi tha se do të bëhet vlerësimi i punimeve siç i është premtuar nga Ministria e Administratës Publike, dhe jo zyrtarisht kishin kuptuar edhe për hapjen e një tenderi të ri.

Ndërkaq, Ali Stublla pronari i kompanisë kontraktuese ‘ Stublla’ në një përgjigje për KALLXO.com e arsyetoi dinamiken e punës.

“Nuk ka perfundu shkolla hala, qysh ka mundësi me u vlerësu tash. Projekti ka dështu se s’ka pasë mjete edhe janë zgjatë punimet”, u shpreh ai.

Mirëpo Stublla i mohoi pretendimet për mundësinë e shkëputjes së kontratës.

Gurthemeli i objektit të ri ishte vënë në tetor të vitit 2015 dhe ishte paraparë që të përfundojë brenda 22 muajsh.