Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Kryetari i Malishevës Deklarohet Rreth Fajësisë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka dalë sot para Gjykatës në Gjakovë.

Ai është deklaruar rreth akuzës që rëndon mbi të.

“Nuk e pranoj fajësinë dhe nuk ndihem fajtor dhe sigurisht që aktakuza është ngritur padrejtësisht ndaj meje sepse ka qenë dashtë të jenë të akuzuar ata që e kanë humbur atë lëndë e jo unë”, tha kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës po e akuzon Begajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, kryetari i Malishevës, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, e ka dëmtuar buxhetin e kësaj komune.

Sipas prokurorit të Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Malishevës duke angazhuar Labinot Mazrekun në cilësinë e menaxherit të Prokurimit.

“Me qëllim të përfitimit të personit tjetër duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Malishevës ka angazhuar Labinot Mazrekun në cilësinë e menaxherit të Prokurimit në kuadër të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme, në Komunën e Malishevës dhe me të njëjtin më datë 07.02.2014, ka lidhë kontratë mbi vepër në kohëzgjatje prej 5 muaj dhe vazhdimin e saj prej datës 08.07.2014 deri më datë 09.09.2014, me të cilin rast para lidhjes së kontratës kjo komunë kishte të punësuar menaxherin e Prokurimit dhe zyrtarë të licencuar të cilët posedonin certifikata të prokurimit për kryerjen e këtyre shërbimeve”, tha prokurori Islami.

Prokuroria pretendon se Ragip Begaj kishte ndërmarrë disa masa ndaj zyrtarëve të Prokurimit në kundërshtim me Ligjin lidhur me disa keqpërdorime në Zyrën e Prokurimit.

“Po ashtu, ky i pandehur edhe pse e ka kuptuar se në zyrën e Haxhi Krasniqit (menaxherit të Prokurimit) ka pasur keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK ALBAKOS & NNSH KORBEN” Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në OShP… me të cilin rast i pandehuri pas pranimit të vendimit në procedurë të shpejtuar pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50% pagesë prej datës 20.08.2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në zyrën e menaxherit të Prokurimit edhe pasi që ky i pandehur kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e Prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur”, tha prokurori i Prokurorisë Speciale.

Kjo nuk është aktakuza as gjykimi i parë i kryetarit të Malishevës.

Gjykata e Gjakovës në korrik të vitit 2016 e kishte liruar kryetarin Begaj nga një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në atë kohë Ragip Begaj akuzohej se gjatë muajve  qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

http://kallxo.com/ragip-begaj-pafajshem-per-shperdorim-detyre/

Begaj, ishte liruar nga kjo gjykatë pasi që nuk ishin vërtetuar pretendimet e Prokurorisë Speciale.