Prona e Rafet Zeqirit foto KALLXOcom

VIDEO: Komuna nuk ka para për kompensimin e pronës për rrugën në ndërtim

Rafet Zeqiri nga Mitrovica së bashku me vëllezërit e tij po planifikojnë të ndërtojnë një objekt afarist në zonën kadastrale në fshatin Suhodoll të Mitrovicës.

Por Zeqiri pretendon se Komuna e Mitrovicës në rrugën që është duke e punuar ka hyrë në pronën e tij për tre ari dhe nuk e ka kompensuar për këtë pjesë të marrë të tokës pa autorizimin e tij.

“Kam planifikuar së bashku me katër vëllezërit e mi me ndërtu një objekt afarist dhe biznesi tashmë është i regjistruar me emrin “Veriu- SHPK”, dhe ne ju kemi drejtuar organeve komunale që të pajisemi me një leje ndërtimi, lejen e kam marrë para një muaji e gjysmë, në fund të muajit korrik”, tha Zeqiri.

KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Mitrovicës nëse e ka bërë apo jo kompensimin e pronës së Rafet Zeqirit, por ka kuptuar se kjo pronë nuk është kompensuar për shkak të mos përballimit të buxhetit komunal.

“Rruga në të dy anët e saj tangon në pronat private për të cilat nuk është bërë elaborat i shpronësimit sikurse edhe në shumë projekte të tjera për arsye të mos përballimit të kostos së shpronësimeve nga buxheti komunal, e cila kosto pothuajse gjithmonë kushton shumëfish më shumë se vet projekti”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Zeqiri thotë se nuk po mundet të fillojë ndërtimin e objektit për shkak se Komuna e Mitrovicës ka filluar të punojë një rrugë të pa planifikuar afër pronës së tij dhe kjo rrugë po e pengon fillimin e ndërtimit.

“Kam hasë në disa dëmtime direkte, për të cilën Kuvendi Komunal apo Zyra e Urbanizmit ka lëshuar një leje më herët. Po ashtu rruga përpos që e goditë objektin direkt dhe sipërfaqen e parcelës mbrapa 20 ari që është e paraparë për një parking të përkohshëm dhe vazhdimin e ndërtimit të objektit që e ka statikën edhe për tri kate të tjera lartë, ajo pjesë faktikisht paralizohet”, shtoi Zeqiri.

Rafet Zeqiri ka bërë tri ankesa për këtë rast në Komunën e Mitrovicës, por thotë se asnjëherë deri më tash nuk ka marrë përgjigje për refuzim apo pranim të ankesës.

Zeqiri thotë se nëse Komuna nuk do të ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e problemeve ai do ta zgjidhë këtë personalisht.

“Unë do të marr një bager dhe do t’ua lavroj këtë rrugë sa i përket anës së parcelës time deri në fund dhe do të t’ua heku me kanalizim dhe ata le të bëjnë çka të dojnë”, tha Zeqiri.

Projekti i kësaj rruge, e cila po ndërtohet në pronën e Rafet Zeqirit kap vlerën prej 133,783.06 Euro dhe financohet me marrëveshje të mirëkuptimit për bashkëfinancim mes komunës së Mitrovicës dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) e cila financon në vlerën prej 80,000.00 euro për vitin 2018.