Kanalizimi në Rezallë

VIDEO: Komuna nuk ka mjete për kanalizimin e mbetur në gjysmë në Rezallë

Rregullimi i rrjetit të kanalizimit në fshatin Rezallë të Skenderajt mbeti në gjysmë tash e disa muaj.

Banorët e lagjes ‘Aruqaj’ ankohen se shkaku i punimeve të lëna në gjysmë nga kompania e kontraktuar, ujërat e zeza kanë dalë mbi tokë dhe janë formuar pellgje me ujërat e kanalizimit.

Fadil Aruqaj, banor i Rezallës, tha për KALLXO.com se gypat e kanalizimit kanë mbetur mbi sipërfaqe dhe disa prej tyre janë bllokuar për shkak të mosvendosjes së pusetave.

]

“Kanalizimin para dikur katër muaj pesë kanë filluar me rregullu kanalizimin, por ky rregullim nuk i ngjanë aspak kanalizimit. Pusetat nuk i kanë pru, na kanë vërshu mbeturinat. Diku rreth 70 për qind e familjeve këtu nuk janë të përfshirë në kanalizim”, tha ai.

Njëjtë është shprehur edhe banori tjetër, Afrim Aruqaj i cili thotë se është detyruar që të formojë një rrjedhë mbi sipërfaqe për qarkullimin e ujërave të zeza.

“Pusetat nuk i kanë pru, këtë jaz e kam çelë unë vet, po fati që nuk ka pasur vërshime e shi, se këtu gjithë na merr oborret, erërat, krejt të zezat bëhen këtu” , tha Aruqaj.

Se gjendja e rrjetit të kanalizimit është e keqe thotë edhe Sheremet Aruqaj i cili kërkon ndihmë nga komuna e Skenderajt.

“Na e kanë pru një kanalizim vjet, na e kanë lanë qashtu, as nuk na kanë pru puseta, jemi tu hekë me to, janë mbyllë edhe ato puseta, i ka mbulu dheu, janë shembë, jemi në hall më të. Kërkojmë nga Komuna edhe prej atyne që janë për ketë punë me na ndihmu sa ma shpejt se jem shumë keq”,  tha ai.

Për KALLXO.com drejtoresha e Urbanizmit, Sanije Ahmeti e ka arsyetuar shqetësimin e banorëve por, sipas saj, kjo po ndodh për arsye buxhetore.

“Ne si Drejtori ju njoftojmë së punimet e kanalizimit ende janë të papërfunduara, ku gjatë vitit aktual është i paraparë të realizohet dhe të finalizohet si projekt në tërësi”, tha Sanije Ahmeti nga Komuna e Skenderajt.