Kanalizimi në Lladrovc - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Kanalizimi që sjell probleme në Lladrovc

Banorët e një lagjeje të fshatit Lladrovc tash e tetë muaj po ankohen në komunën e Malishevës se kanë probleme me kanalizimin në rrugën “Dushku” në këtë fshat.

Ndonëse kanalizimi në këtë anë ekziston, pjerrtësia e terrenit ka bërë që ujërat e zeza të dalin nga gypat dhe në disa pjesë të bllokohet krejtësisht.

Për pasojë, banorët ankohen se fekalet po ua dëmtojnë edhe ujin që ata e përdorin për pije.

Të martën në mëngjes, për të parë për afër hallet e banorëve doli edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

Ismet Zogaj, banor i lagjes, shpjegon problemet që kanë banorët.

“Për shkak të terrenit se ka një pjerrtësi tepër të madhe, këtu detyrohet uji me dal në këtë pjesë, ky problem është paraqitur para tetë muajve, mirëpo zyrtarisht edhe pse jemi ankuar më herët, zyrtarisht këtu jemi ankuar me datën 9.11.2018, i bjen shtatë muaj”, ka thënë Zogaj për KALLXO.com.

Sipas tij, për më shumë se shtatë muaj, kompania që e mirëmban rrjetin e kanalizimit dhe Drejtoria komunale e Urbanizmit, nuk kanë gjetur kohë të vijnë ta zhbllokojnë këtë kanalizim.

 

Kanalizimi në këtë anë kalon mbi gypat e ujit që banorët e lagjes e përdorin për pije. Ismeti dyshon se kjo mund të sjellë edhe pasoja.

“Pasojat janë në shëndet pikë së pari, ishalla nuk janë të fëmijët. Uji atje vjen i papastër”, thotë ai.

Zogaj posedon edhe një dokumentet të datës 19 nëntor të vitit të kaluar nga Inspektorati i Ambientit nga Komuna e Malishevës. Trupa inspektuese kishin rekomanduar intervenimin e menjëhershëm për shkak se nga gjendja e kanalizimit mund të vijë ndonjë epidemi.

Pas interesimit të KALLXO.com për problemet e banorëve të kësaj ane, rrugën për në Lladrovc e mori edhe kryetari i kësaj Komune, Ragip Begaj.

I pari i Malishevës tha se komuna që drejton e drejton ka probleme me kanalizime, ndërsa shprehu keqardhje për rastin.

“Problemet me kanalizime i kemi edhe në fshatrat tjera, për shkak se po zihen kanalizimet, kështu ka ndodhur edhe në Lladrovc. Unë kam ndi keqardhje, familjari ka ardhur tek unë është ankuar dhe unë kam ardhur me pa gjendjen sesi është dhe kanalizimi përnime është i zënë dhe ne do të marrim masa për të parë se çfarë do të ndërmarrim më tutje”, tha ai.

Begaj u zotua se brenda dy muajve do ta rregullojnë këtë problem.

“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se sa zgjatin procedurat e prokurimit, shpallet tenderi, dikush e shtyn procedurën, nuk mundem saktë me thanë. Më herët se dy maj”, është shprehur ai.

Në hall me kanalizimin këtu në rrugën Dushku në Lladrovc është edhe Reshat Zogaj.

“Kur të nxehet koha, era është mosvet… nuk mujmë me nejt as në oborr as me dal”, thotë Reshat Zogaj për KALLXO.com.

Ai ka frikë se nga kjo gjendje mund të vijë edhe diçka më e madhe.

“Po frigohemi se mos po vjen naj sëmundje a naj epidemi” thotë tutje Zogaj.

Kryetari Begaj tha se i kanë të planifikuara rreth 500 metra për shtrirje të kanalizimit. Sipas të parit të Malishevës, në fshatin Lladrovc janë shtruar disa rrugë dhe është ndërtuar edhe një shkollë e re.