Kampi i fëmijëve të komuniteteve - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Kampi që i bashkon fëmijët e komuniteteve

Larg rrugëve dhe pluhurit, rreth 100 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë bërë bashkë që të argëtohen në ‘Kampin Veror’ në Prishtinë.

Kampi i organizuar nga The Ideas Partnership ka për qëllim që këta fëmijë të fitojnë njohuri mbi barazinë, mos-diskriminimin përmes aktiviteteve inovative dhe lojërave.

Zyrtarja e kësaj organizate, Valentina Osmani ka deklaruar së shumë nga fëmijët të cilët janë pjesë e këtij kampi janë në situatë rruge.

“Esenca e gjithë kësaj është që mu kriju një kamp sa më i përshtatshëm, një ambient sa më i sigurt për fëmijë kur ata kanë mundësi më shfaqë talentin e tyre, m`u ndje rehatshëm, me njoftuar shokë edhe shoqe të reja edhe ndoshta t`u e ditë se sa të diskriminuar janë fëmijët e komuniteteve”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, organizimi është mirëpritur nga fëmijët dhe se kanë vërejtur rezultate të mira tek ta.

“Në fakt e kanë pritur shumë mirë, ditën e parë deri sa janë ambientuar me aktivitete ka qenë pak kurse tani janë ambientuar dhe fëmijët veçse i njohin aktivitetet të cilat janë përmes lojës, punëdores të cilat kanë për qellim në të njëjtën kohë që fëmijët të përfitojnë në të gjitha aspektet edhe të argëtohen”, tha ajo.

‘Kampi Veror’ ka filluar më 1 korrik dhe do të vazhdojë deri më 5 korrik, dhe mbahet në hapësira të gjelbëruara në rajonin e Prishtinës.