VIDEO: Kamioni i Biznesmenit Transporton Drogë

Shoferi i kamionit të mbushur me zhavorr nuk ka mundur t’u japë përgjigje policëve për mënyrën se si përfunduan 36 kilogramë drogë në kamionin e tij.

Pak minuta pasi është arrestuar, 40 vjeçari është befasuar me zbulimin që policia e ka kryer në rimorkion e kamionit të tij.

Detajet e intervistës me të dyshuarit për trafik të drogës kanë qenë tema e reportazhit të rubrikës “Policia” të transmetuar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në aksionet e zhvilluara në dy muajt e fundit policia ka konfiskuar rreth 80 kilogramë drogë të cilat ishin nisur nga rrethina i Gjakovës drejt rrethinës së Podujevës.

Pjesa e parë e narkotikëve prej 36 kilogramëve është gjetur gjatë ndaljes dhe kontrollit të një kamioni të ngarkuar me rërë ndërsa pjesa tjetër prej rreth 40 kilogramëve janë konfiskuar në bastisjen e një veture në fshatin Sekiraqë të Podujevës.

Në intervistat e tyre për emisionin, zyrtarë të njësisë së drogave kanë shpjeguar detajet e aksionit dhe mënyrat se si policia u ka rënë në gjurmë trafikantëve të drogës.