Foto: Kallxo.com

VIDEO - Inspektorët kontrollojnë çmimet e mallrave për festën e Bajramit

Mëngjesi i ditës së hënë nisi me inspektime në disa markete të Kosovës.

Me këtë aksion, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon të verifikojë nëse çmimet e produkteve në rafte janë të njëjta edhe tek arka.

Pas afro dy orësh kontrollim, inspektorët e tregut nuk arritën të gjejnë asnjë parregullsi me çmimet në marketet e ETC dhe Super Viva në Prishtinë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala pas këtij aksioni tha se kjo është bërë për të verifikuar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Fokus kryesor i këtyre inspektimeve ka qenë inspektimi i çmimeve të produktit, të cilat shiten në tregun e Kosovës, e kjo për verifikimin se produkti i cili është duke u shitur në pikën shitëse me vlerën të cilën i prezantohet qytetarit, ajo vlerë e atij produkti a është duke u reflektuar edhe në çmimin e arkës”, tha Shala.

Tutje Shala tha se nuk janë gjetur asnjë parregullsi në çmimet e këtyre maketeve.

“Në dy pikat të cilat i inspektuam bashkërisht nuk arritëm të gjejmë çmime apo produkte të cilat kanë një çmim tjetër në pikën ku është i vendosur ai produkt në raport me çmimin në arkë”, shtoi ministri.

Ministri po ashtu tha se ky kontrollim i çmimeve është bërë në të gjithë vendin.

Ky aksion është bërë në prag të festës së Fitër Bajramit, kur marketet bëjnë oferta të ndryshme dhe ka blerje të shumta nga qytetarët.