Foto: MTI

VIDEO: Inspektimi i furrave të bukës dhe marketeve në Prizren

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdën e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, sot ka kryer inspektime nëpër furrat e bukës në rajonin e Prizrenit.

Mbikëqyrja metrologjike për peshën e bukës dhe njëkohësisht Inspektorati i tregut ka mbikëqyrur deklaracionin nëpër pikat e shitjes.

Gjatë ditës së sotme janë inspektuar 5 furra të bukës në Prizren dhe në secilën prej tyre ka dalë që masën e bukës e kanë pasur në përputhje me deklaracionin e tyre.

Në secilën nga furrat e inspektuara janë marrë tri e më shumë mostra të bukës, për të parë masën e tyre në peshoren të cilën zyrtarët e MTI-së e bartnin me vete.

Buka e bardhë 500 gramë dhe 600 gramë, buka e thekrës 500 gramë dhe 270 gramë, buka e misrit 430 gramë, bukë integrale 500 gramë, ishin disa nga mostrat të cilat janë peshuar nëpër pesë furrat e komunës së Prizrenit.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza bashkë me drejtorin e Inspektoratit të MTI-së kanë qenë në terren për ta parë nga afër mbikëqyrjen.

Fejza ka thënë se qëllimi i aktiviteteve të mbikëqyrjes metrologjike ka qenë zbatueshmëria e ligjit në disa furra buke dhe është bërë matja e bukës dhe verifikimi i peshoreve që përdorën nëpër këto subjekte ekonomike.

Fejza ka treguar se po ashtu është bërë edhe mbikëqyrja metrologjike e para paketimeve (produkteve nga importi dhe vendore).

“Agjencioni i Metrologjisë së Kosovës ka zhvilluar aktivitete të mbikëqyrjes metrologjike. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qenë të mbikëqyrim aspektin e zbatueshmërisë së ligjit në suaza të metrologjisë ku kemi filluar me mbikëqyrjen të prodhimeve të drithërave në furrat e bukës në rajonin e Prizrenit. Kemi vazhduar me mbikëqyrjen metrologjike të produkteve të importit në super-markete mbështetur nga Inspektorati i tregut, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë Fejza.

Ndërsa Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se kanë mbikëqyrur deklaracionin nëpër furrat e bukës duke bërë krahasimin me atë që shkruan dhe buka që shitet.

“Kemi bërë inspektimin në pesë furra të ndryshme dhe qëllimi ka qenë të krahasojmë atë që shënon, a është 500 gram, a po shitet 500 gram. Qëllimi ka qenë të mbrohet konsumatori. Në këto pesë vizita kanë rezultuar se të gjithë e respektojnë ligjin dhe janë brenda parametrave. Ne kemi qëndruar edhe te një operator ekonomik, i cili merret me shitjen e bukës, ku nuk ka pasur të vendosur deklinacionin dhe janë marrë masa ndaj atij subjekti. Inspektorati i MTI-së dhe inspektoratet komunale janë duke e bërë punën e vet dhe jemi duke zbatuar urdhrin e ministrit Shala”, ka thënë Syla.

Ai më tej ka treguar se do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në qytetet e tjera, ku do të jenë prezent 24 orë ta mbrojnë konsumatorin.

“Mbikëqyrja ka nis të bëhet 100 për qind për çdo mall i cili hyn nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që vendimi i qeverisë të zbatohet në përpikëri”, ka theksuar Syla.

Pas inspektimit të furrave të bukës është inspektuar edhe një market në Prizren për të inspektuar produktet serbe nëse edhe ato e kanë masën sipas deklaracionit. Nga pesë produktet e matura, ka dalë se vetëm mielli i markës ‘Fidelinka’ 5 kilogram dhe 1 kilogram kishte masë më të vogël se sa ishte shkruar në deklaracionin e saj.

Sipas MTI-së inspektimet do të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme, ku do të bëhet mbikëqyrja metrologjike dhe ajo e deklaracionit të të gjitha produkteve nëpër pikat shitëse.

Foto: MTI
Foto: MTI
Foto: MTI