VIDEO: Incident në një tubim të LDK-së

Një incident ka ndodhur sot në një tubim të një nëndege të LDK-së në Prishtinë.

Siç merr vesh KALLXO.com, tensionet e krijuara kanë shkaktuar anulimin e këtij tubimi që është mbajtur në shkollën “Gjergj Fishta”, në rrugën “Ismail Dumoshi”.

Burime të KALLXO.com thonë se tensionet janë shkaktuar pas një fjalosjeje mes djalit të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe djalit të zyrtarit të LDK-së, Bajram Gecajt.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësi e LDK-së, Besian Mustafën.

Ai ka thënë se tubimi është shtyrë për një ditë tjetër jo për shkak të incidentit por për shkak të mospërgatitjes administrative për menaxhimin e mbi 200 vetave.

Mustafa nuk ka mohuar se në këtë tubim mund të ketë pasur fjalosje.

“Po, në një tubim me mbi 200 veta mund të ketë debate e argumente, është normale dhe jemi në demokraci. E vetmja arsye pse është shtyrë kuvendi është që të përgatiten për një numër aq të madh pjesëmarrësish dhe jo për 79 ose 80 veta si zakonisht”, ka thënë Mustafa.

Kjo është videoja e siguruar nga KALLXO.com nga rrëmuja e shkaktuar në tubimin e LDK-së.

www.kallxo.com