Foto: Kallxo.com

VIDEO - Hapet Panairi i Vetëpunësimit në Prishtinë

Gjatë të premtes, UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë bërë hapjen e Panairit të vetëpunësimit për vitin 2019.

Qëllimi i këtij programi i cili financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është që ta promovojë vetëpunësimin, me fokus tek personat e riatdhesuar.

Në hapjen e këtij panairi, mori pjesë  Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i cili para të pranishmëve ka folur rreth panairit të vetëpunësimit, i cili është bërë në bashkëpunim me UNDP.

“Një nga projektet që në të kaluarën ka dhënë rezultate konkrete pa dyshim është edhe panairi i vetëpunësimit, dhe përfituesit e programit të vetëpunësimit që vitin e kaluar ishin pjesë dhe përfitues të projektit tonë të përbashkët me UNDP”, u shpreh ministri Reçica.

Ministri ka treguar se si qytetarët kanë përfituar projektet për vetëpunësim pas paraqitjes në zyrat për punësim pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Sot jemi të gjithë dëshmitarw të gjithë asaj që ata qytetarw që ishin të regjistruar në zyrat e punësimit pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si punëkërkues dhe njëkohësisht më vonë përfitues të projektit të vetëpunësimit sot produktet e tyre do të plasohen këtu në këtë panair dhe kjo është një dëshmi më se e qartë se masat aktive të tregut të punës po japin rezultate konkrete”, ka thënë ministri.

Ndërsa përfaqësuesja e UNDP-së, Valbona Bogujevci ka treguar rezultatet që ky panair ka pasur gjatë këtyre viteve.

“Për vite me radhë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës ne kemi arritur jo vetëm të përzgjedhim njerëz që kanë pasur aftësi profesionale të punës por edhe që bizneset e tyre të qëndrojnë të qëndrueshme për vite me radhë”, ka thënë Bogujevci.

Ajo ka treguar se Panairi i vetëpunësimit ka në fokus personat e riatdhesuar të cilët janë jashtë tregut të punës.

“Ky program në këtë radhë do të asistoj rreth 250 punëkërkues me fokus në punëkërkuesit e riatdhesuar dhe punëkërkuesit që janë jashtë tregut të punës për afat të gjatë kohor dhe që kanë vështirësi për tu integruar në tregun e punës” , u shpreh Bogujevci.

Panairi i vetëpunësimit do të jetë i hapur për aplikim  deri më 8  korrik për të gjithë punëkërkuesit, ndërsa të dhëna rreth këtij panairi do të jenë të publikuara në website të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe në Agjencinë e Punësimit.