Foto: Kallxo.com

VIDEO - Gjykatësit ‘i vjen shumë keq’ që e dënoi Sokol Bashotën

Ish-kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, është dënuar sot nga Gjykata e Pejës me 6 muaj burg me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për deklarim të rremë të pasurisë.

Bashkë me të është dënuar Enver Berisha, ish- nënkryetar i Klinës.

Dënimi me burg ndaj tyr enuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ata nuk kryejnë ndonjë vepër të re penale

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, me një ton hezitues i ka sqaruar Bashotës arsyet pse ka ardhur deri te ky vendim.

Ndërsa në fund të deklaratës, gjykatësi Lokaj shpreh keqardhje për vendimin që e ka marrë.

“Janë të gjitha provat… edhe për ju z. Enver, kështu që më vjen shumë keq, ajo çka është vepru është vepru. Ju keni të drejtë të bëni ankesë”, tha gjykatësi Lokaj.

KALLXO.com transmetoi direkt shpalljen e aktgjykimit ndaj Sokol Bashotës dhe Enver Berishës.

Bashota, i rizgjedhur kryetar i PDK-së në Klinë, akuzohej për tri vepra penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohej se nuk i ka deklaruar fare veturën BMW X5, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohej se nuk i ka deklaruar as veturën Jeep dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.