VIDEO – Gëzimi i familjeve të viktimave pas dënimit të Karaxhiqit me burg të përjetshëm

Familjarët e viktimave të luftës në Bosnjë kanë shpërthyer në duartrokitje menjëherë pasi Dhoma e Apelit e Tribunalit të hagës e dënoi ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq me burg të përjetshëm, nën akuzat për krime të luftës gjatë viteve 1992-1995.

Të mbledhur në galerinë e Tribunalit, siç shihet në videon e BIRN, familjarët kanë duartrokitur për dënimin e kriminelit të luftës.

Në shpallje të verdiktit, gjykatësi tha se të gjitha pikat e akuzës së shkallës së parë janë konfirmuar përveç disa incidenteve në aktakuzë në më shumë se 20 komuna gjatë luftës në Bosnjë.

Dhoma e Apelit është pajtuar me konkluzionin e prokurorëve se lartësia e krimeve të kryera është shumë më e madhe se dënimi prej 40 viteve të dhëna ndaj Karaxhiqit në shkallën e parë, të shpallur në vitin 2016.

 

Karaxhiq akuzohet për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje, midis vitit 1992 dhe 1995.

Këshilltari i tij ligjor amerikan Peter Robinson tha për BIRN se Karaxhiq “po pret me qetësi vendimin”.

“Ai është plotësisht i qetë. Ai shpreson për të mirën, por është i përgatitur për më të keqen,” tha Robinson.

Në vendimin e shkallës së parë në mars të vitit 2016, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajpera, si edhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Si mbrojtja dhe prokuroria kanë apeluar kundër vendimit të vitit 2016.

Prokurorët argumentuan se Karaxhiqi duhet të shpallet fajtor edhe për gjenocid në vitin 1992 dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi që ai të lirohej në të gjitha akuzat, duke insistuar që ai nuk pati një gjykim të drejtë në shkallën e parë.

Dhënia e vendimit do të fillojë në orën 14:00 me orën lokale në Hagë. Megjithatë, duke u larguar nga praktika e zakonshme në gjykatën e Hagës, vendimi nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e internetit të gjykatës.

Në vend të kësaj, gjykata do t’i transmetojë procedurat me vonesë kohore prej 30 minutash.

Vendimi do të transmetohet me këtë vonesë kohore për arsye sigurie, pas vetëvrasjes në sallën e gjyqit të ish-gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak, i cili piu helm ndërsa jepej vendimi për të, drejtpërdrejtë në faqen e internetit të gjykatës në nëntor 2017.

Praljak, i cili u gjet fajtor për persekutim të civilëve në disa komuna në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës dhe vdiq menjëherë pas kësaj.

Më shumë se 250 përfaqësues mediash janë akredituar për vendimin e ditës së mërkurë, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës në Bosnje dhe nga disa mbështetës të Karaxhiqit.