Fondi Etnologjik - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Fondi etnologjik në Institutin Albanologjik i lënë pas dore

Këto nuk janë rroba të vjetra që shiten në një shitore artizanatesh.

Ky fond i shtrirë në këtë dysheme është një nga thesaret më të çmuara të etnologjisë sonë.

I grumbulluar, por edhe i dhuruar, për vite vazhdon të bëjë jetën e tij në këtë gjendje, në një prej hapësirave të Institutit Albanologjik të Prishtinës, dedikuar për ekspozitë etnologjike.

Më e keqja është se tavani i Institutit Albanologjik të Prishtinës, vazhdimisht pikon brenda sallës së etnologjisë, drejt e në artefakte, duke rrezikuar seriozisht gjendjen e këtij thesari.

Për ta konservuar, ruajtur dhe vendosur nëpër rafte për ekspozim, IAP për çdo vit ka kërkuar fonde nga Ministria e Arsimit, por që përveç premtimeve nga MAShT-i nuk mori asnjëherë gjë tjetër.

Një premtim të tillë e ka marrë edhe për këtë vit. Por, sa mund të rezistojnë 135 eksponate në këtë sallë, deri sa MAShT të arrijë të përmbush premtimin?

Hysen Matoshi, drejtor i këtij Instituti ka pohuar se dy vitet e fundit fitojnë në konkursin e MAShT për pajisje me vitrina dhe elemente tjera për sallën etnologjike, por nuk ishin sjellë pajisjet.

“Nuk është në dorën tonë, për fat të keq, të dimë saktësisht se kur do të përfundojë procesi i blerjes dhe i sjelljes së këtyre vitrinave, por neve nuk na nevojitet më shumë se një muaj kohë pas sjelljes së tyre që ta funksionalizojmë këtë ekspozitë etnografike”, ka thënë drejtori Matoshi.

Artefaktet janë të ruajtura mirë, por duhet ndërhyrja urgjente, konsideron Bashkim Lajçi, shefi i Degës së Etnologjisë në IAP.

“Kjo lëndë etnografike që gjendet këtu, normalisht që ka nevojë për ndërhyrje. për pastrimin e saj, rregullimin e saj dhe përgatitje për ekspozitë”, ka pohuar ai.

Ndërsa MASHT përmes postes elektronike ka ritheksuar se këtë çështje e ka vendosur në planin financiar për këtë vit që t`i mbështesë këto Institucione shkencore me pajisje laboratorike.

“Pasi buxheti u miratua, neve na mbetet që t`i ndjekim edhe procedurat e prokurimit në mënyrë që të realizohen sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e MASHT për KALLXO.com.