Dibran Hoxha në Gjykatën e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Dibran Hoxha i prangosur

Pronari i lokalit “Kobra City” në Prizren, Dibran Hoxha, është sjellë i prangosur nga Policia në Gjykatën e Prizrenit për t’u përgjigjur rreth dyshimeve se i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore një personi.

Hoxha u arrestua dje nga Policia e Prizrenit.

Ai ka qenë në kërkim policor prej ditës së shtunë pasi që i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore personit H.B., babai i një ish-punëtori të “Kobra City”, një lokali nate në Prizren.

Lajmin për arrestimin e Hoxhës për KALLXO.com e ka konfirmuar Admir Shala, kryeprokuror i Prizrenit.

“Sot është arrestuar dhe nesër është seanca për caktimin e masës së paraburgimit”, tha dje Shala për KALLXO.com.

https://kallxo.com/arrestohet-bosi-i-kobra-city-t-ne-prizren-pas-disa-dite-arratie/

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, personi H.B. ishte sulmuar me stupca dhe mjete të mprehta si thika dhe të ngjashme në terë trupin.

Lokali “Kobra City” është i njohur për shkak të valltares Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën “Kallashi”.

Në shtator 2015, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka trajtuar rastin e ngatërresave të Dibran Hoxhës me njerëz të ndryshëm dhe problemet e tij me drejtësinë.

Në janar të vitit 2016, persona të panjohur kishin djegur lokalin “Kobra City” dhe kishin rrahur menaxherët dhe rojtarët e lokalit.