
VIDEO: Çka ndodh nëse në Prishtinë rrëzohet aeroplani?
Të gjitha agjencitë shtetërore dhe të gjitha resurset e brendshme të Aeroportit “Adem Jashari” janë angazhuar në operacionin e shpëtimit pas aksidentit të simuluar të një aeroplani.
Zyrtarët po bëjnë gjithçka për evakuimin e të mbijetuarve të këtij aksidenti dhe vendosjen e tyre në vende të sigurta.
Raportet flasin për vdekjen e 2 prej 58 personave që gjendeshin në aeroplan.
Një ushtrim i tillë realizohet çdo dy vjet në Aeroportin e Prishtinës.
Drejtori i Operimeve në Aeroport, Adem Gashi, tregon se çka saktësisht po zhvillohet në njërën nga pistat e Aeroportit Ndërkombëtar.
“Ky ushtrim mbahet çdo dy vite dhe është ushtrim gjithëpërfshirës, pasi i përfshin të gjitha agjencionet shtetërore dhe të gjitha resurset e brendshme të Aeroportit që reagojnë në raste të jashtëzakonshme. Qëllimi i ushtrimeve është që t’i shohim dhe t’i testojmë kapacitetet tona edhe si Aeroport edhe si shtet që në raste të fatkeqësisë të japim maksimumin që të shpëtojmë jetët e njerëzve dhe të minimizojmë vendet me njerëz edhe në të mira materiale. Janë të gjithë skenarët e përfshirë. Ne i kemi 3 zona, të gjithë të lënduarit largohen nga zona e rrezikut dhe transferohen në zonën e sigurisë”, tha ai.
Drejtuesit e agjencive të përfshira në operacion diskutojnë rreth operacionit të shpëtimit pas aksidentit.
Drejtori Gashi tregon se Aeroporti Ndërkombëtar është i përgatitur për çdo ngjarje të paralajmëruar dhe të paparalajmëruar.
“Ne jemi të përgatitur në bazë të standardeve, sepse ne bëjmë pjesë në kategorinë e 8 sepse kemi numrin e mjaftueshëm të pajisjeve dhe njerëzve dhe procedurave tjera që nevojiten për të mbërritur sa më shpejtë në vendin e aksidentit”, tha ai.