VIDEO - Cili ishte qëllimi i 22 vjeçarit që kërcënoi kryeministrin?

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua hulumtimi për dështimin e institucioneve në deradikalizim.

Hulumtimi shfaq intervistën e avokatit Isak Hoxha i cili mbron Bledart Elshanin që po hetohet nga ana e prokurorisë për kërcënimin përmes rrjeteve sociale ndaj Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Avokati Isaku tregon për “Drejtësia në Kosovë” për procedurat ndaj klientit të tij.

“Dua të theksoj se i mbrojturi im nuk e ka të kryer shkollën e mesme, jeton në kushte ekstreme të varfër, asnjëherë i dënuar, asnjëherë i marrë në pyetje nga gjyqësia. Para disa ditësh me ka thirrë nëna e klientit im dhe më ka treguar se ai gjendet në një gjendje të rëndë shpirtërore. Duhet të kemi parasysh që ai në moshë 22 vjeçare gjendet në një burg të cilin nuk e ka provuar kurrë”, tha Hoxha.

“Edhe para prokurorit edhe para gjykatës ka thënë se e ka postuar në rrjete sociale fotografinë për kryeministrin që sigurisht po ta dinte edhe kryeministri vet do të donte që ta lironte sepse s’ka qenë qëllimi i klientit tim t’i bëjë keq dikujt”, tha Hoxha.

Vetë avokati Hoxha thotë se sa i takon vetëdijesimit për përdorimin e rrjeteve sociale, kjo gjë mungon pasi që jo të gjithë janë të dijshëm të përdorin rrjetet sociale në mënyrë të drejtë.