VIDEO: Cilat janë projektet e Komunës së Gjilanit për të rikthyerit nga Siria e Iraku

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje e cila që gjashtë vite po pret rikthimin e burrit të saj nga Siria. Në anën tjetër gjatë këtij emisioni u shfaqën edhe rrëfimet e imamëve të cilët ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës, të cilët treguan gjendjen e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin për terrorizëm dhe ekstremizëm.

Komuna e Gjilanit thotë se ka projekte të cilat kanë për qëllim parandalimin e shkuarjeve në Siri e Irak.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka treguar për qëllimin e parandalimit të terrorizmit.

“Komuna e Gjilanit është zgjedh për vitin e katërt, si komunë e cila po aplikon mekanizmin ndër komunal që quhet preventiva lokale kundër redaklizmave që qojnë në terrorizëm. Marrin pjesë institucionet e shtetit. Ne punojmë në parandalim, qëllimi ynë është parandalimi”, tha Haziri.

Kryetari Haziri tregoi se kanë parandaluar edhe disa raste të cilat kanë rezultuar me sukses.

“Kemi zbuluar disa raste, si pasojë e lajmërimit të prindërve, familjarëve, nëpër shkolla, që të rinjtë me prirje radikaliste, dhe kemi arrit me i zgjidh këto raste duke i involvuar edhe pedagog psikolog dhe imamët që kanë treguar një rezultat shumë të mirë. Në Gjilan kemi të deklaruar tre të rijnë të vrarë në pozita komanduese të luftërave të huaja dhe disa raste të bashkimit familjarë. Po ashtu prokuroria dhe gjykata e ka dënuar edhe një imam në lidhje me këtë rast”, tha Haziri.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.