Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

VIDEO: Blerim Reka fton për dalje sa më masive në votime

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka dha votën e tij në zgjedhjet presidenciale që po mbahen, duke thënë se sot është një ditë e madhe.

“Sot është një ditë e madhe, një ditë e shkëlqyeshme jo vetëm me diell. Po unë shpresoj se kjo ditë është një paralajmërim për një faqe të re për historinë e Maqedonisë në raport me Bashkimin Evropian”, deklaroi Reka.

Blerim Reka tha se është i bindur se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të rregullta, fer, demokratike dhe të lira dhe sipas tij me këtë do të dëshmojnë se janë të përgatitur për fillimin e negociatave në BE-në.

Reka në fund i ftoi qytetarët të dalin në votim dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese.

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, tha se në bazë të informacioneve gjithçka po shkon në rregull. Në zgjedhje të drejtë vote kanë 1.808.131 votues, të cilët mund të zgjedhin midis tre kandidatëve: Blerim Reka, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski.

Në rrethin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili fiton shumicë votash nga numri i përgjithshëm i votuesve, më shumë se 904.066 vota.

Sipas nenit 81 nga Kushtetuta, nëse në raundin e parë askush nuk e merr shumicën e nevojshme, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më shumë vota në rrethin e parë.

Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditëve pas përfundimit të rrethit të parë të votimit, në këtë rast 5 maj./21Media