Vezë nga VV-ja për Ministrin Stavileci

Sulmin me vezë ndaj ministrit e bëri të ditur Zyra për Informim e këtij subjekti politik me anë të një komunikate për media.

“Aktivistët e ‘Vetëvendosjes’ sot e gjuajtën me vezë këtë ministër, për t’i treguar edhe njëherë Qeverisë së Kosovës që pa u tërhequr nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi nuk do të ketë qetësi dhe rehati për ministrat e saj,” thuhet në njoftimin e LVV-së.

“Vetëvendosja” e arsyeton këtë aksion me fjalët se sipas saj ministri Stavileci është njëri nga përgjegjësit për shkatërrimin ekonomik të Kosovës.

“ Ai bashkë me Kryeministrin Isa Mustafa, u tërhoqën nga Ligji për Trepçën, meqë një gjë të tillë e kërkoi Beogradi,” thuhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes, ministri Stavileci për t’u shkuar përshtati politikave të Serbisë mbi Kosovën të hënën në Beograd nuk guxoi asnjëherë ta përmend fjalën Republikë.

“ Nuk guxoi të thotë ‘Republika e Kosovës’, përderisa në anën tjetër Marko Gjuriq vazhdimisht i referohej Kosovës si ‘Kosovë e Metohi’,” thuhet më tutje në njoftimin e “Vetëvendosjes” për sulmin me vezë ndaj ministrit.

Stavileci ishte dje në Beograd në takimin mes odave ekonomike dhe biznesmenëve të Kosovës e Serbisë.

KALLXO.com kontaktoi edhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci për ta pyetur rreth sulmit, por ministri kërkoi që të thirrej më vonë për këtë çështje.

“A ka mundësi të dëgjohemi pas 20 minutave, sepse jam jashtë dhe nuk po dëgjoj,”  tha Stavileci. Por ai nuk e hapi më pas telefonin kur kaloi koha prej 20 minutash.

Ministri i MZhE-së nuk është i pari që është gjuajtur me vezë nga aktivistë të “Vetëvendosjes”.

Sulme të ngjashme iu bënë edhe zëvendësministrit të jashtëm Petrit Selimi, ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi si dhe zëvendësministrit të Pushteti Lokal Bajram Gecaj.

http://kallxo.com/zgjerohet-shenjestra-e-vetevendosjes-me-veze-sulmohen-selimi-e-abrashi/

http://kallxo.com/vetevendosje-i-jep-hajredin-kucit-hisen-e-vet-te-vezeve/

Po ashtu me vezë ishte sulmuar edhe eskorta e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.