Ilustrim

Veturë Porsche, orë të shtrenjta e para u sekuestruan në aksionin e Policisë së Kosovës dhe asaj gjermane

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë gjermane dhe Prokurorinë Speciale në Kosovë kanë kryer disa bastisje në gjashtë lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj.

Operacioni i  zhvilluar ka pasur për qëllim gjetjen e dëshmive materiale  lidhur me vërtetimin  e veprës penale “Pastrim i parave”, të  cilën  dyshohet ta kenë kryer persona të dyshuar të involvuar.

Bastisjet janë kryer në qytetin e Prishtinës në dy lokacione, ndërsa në qytetin e Ferizajt në katër lokacione.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar 63 foldera me dokumentacione të ndryshme në lidhje me aktivitetin e bizneseve të një kompanie.

Po ashtu, janë konfiskuar një numër i madh i hard-disqeve të kompjuterëve, USB dhe pajisjeve tjera elektronike të  cilat ekspertët e fushës i kanë  konsideruar të nevojshme për t’u ekzaminuar.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 6296,50 euro, 12 orë dore  të llojeve të ndryshme si Armani, Rolex, Festina, Fossil, Svatsh, Boss, një veturë e tipit Porshe dhe një mortor i tipit Yamaha.

Sipas njoftimit të Policisë, me  vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të  dyshuarve u janë ngrirë të gjitha llogaritë bankare biznesore dhe ato personale.

“Po ashtu u janë ngrirë 8 parcela tokësore prona të të dyshuarve, këtu hyjnë edhe dy shtëpi banimi të cilat gjenden në lagjen Marigona në Çagllavicë. Pasi  të  dyshuarit  nuk  janë  gjendur  në shtëpitë  e tyre, janë  urdhëruar  që të  paraqiten  pranë autoriteteve për  t’u  intervistuar  në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e Policisë.