Vetura Zyrtare e Mbingarkuar me Pasagjerë

Monitoruesit e KALLXO.com kanë xhiruar pamje të një veture zyrtare e cila është e mbingarkuar deri në atë masë sa një personi i duhet të qëndrojë në bagazh të saj.

Vetura është parë sot në mëngjes duke lëvizur nga Pallati i Drejtësisë në drejtim të qendrës së qytetit ndërsa në pamje shihet pozita jo-komode e një personi që qëndron në bagazh.

Edhe pas gati dy viteve qëkur organet e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës duke filluar nga Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit, Gjykata Themelore e Prishtinës, Prokuroria Themelore e Prishtinës, janë vendosur në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, ende nuk ka ndonjë linjë të rregullt transporti nga qyteti për në këtë objekt.

I vetmi qarkullim është nga një autobus i një kompanie private i cili është i qasshëm në mëngjes dhe në përfundim të orarit të punës në orën 16.

Qytetarët dhe punëtorët e punësuar në këto institucione vazhdimisht kanë theksuar nevojën për transport por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë ndërsa punëtorët dhe qytetarët që u nevojiten shërbimet e drejtësisë u duhet të gjejnë zgjidhje individuale.