VV në Shtime - Foto: Facebook/LevizjaVetevendosje

Vetëvendosjes i bashkohen 40 shtimjanë

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot i janë bashkuar 40 anëtarë të rinj.

“Qytetarët e vendit gjithandej nëpër komunat e Kosovës po vazhdojnë t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje. Në vazhdën e anëtarësimeve, sot Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti dhe Kryetari i Qendrës së Shtimes Adnan Ademi i mirëpriten mbi 40 anëtarë të rinj”, thuhet në postimin e kësaj partie në Facebook.

Tutje thuhet se ndër ata që i janë bashkuar kësaj partie janë profesori i Biologjisë Nuhi Rushiti, anëtari i Shoqatës së Veteranëve Adem Bajrami dhe punëtori që përjetoi tmerrin duke mbetur i varur për disa orë në punishten e “Bechtel-Enkas”, Përparim Sadiku.

Sipas tyre, konsistenca politike dhe orientimi socialdemokrat janë shpresa e vetme për të gjithë qytetarët për zhvillimin e vendit, barazinë shoqërore dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit e qeverisjen transparente.

“Në këtë takim me plot entuziazëm u shpreh domosdoshmëria e angazhimit nëpër fshatrat e Shtimes dhe fuqizimin e organizatës në çdo cep të Republikës”.