Vetëvendosje: Vendimi për 53 milionë euro mund të anulohet

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi sërish nga Qeveria të anuloj vendimin lidhur me 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka për ndërtimin e Autostradës R6, Prishtinë-Hani Elezit.

Në konferencë për media, deputeti i LVV, Liburn Aliu tha se ende nuk është nënshkruar kontrata me këtë kompani dhe luti qeverinë që të evitojë dëmin prej 53 milion eurosh ndaj buxhetit të shtetit.

Sipas Aliut, ky vendim paraqet shkelje dhe se kjo shumë mund të ndryshonte gjendjen në Kosovë.

“Ai vendim është shkelje. Duhet të veprojë shteti, Qeveria duhet të anulojë vendimin. 53 milionë euro janë shumë të vlefshme për Kosovën, me to sot mund të ndryshonte gjendja në sistemin e shëndetësisë apo në arsim në Kosovë. Sipas llogaritjes së thjeshtë, mund të ndërtoheshin 20 çerdhe, 10 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme dhe 5 qendra të mjekësisë familjare”, tha Aliu.

Aliu më tutje, shtoi se organet e drejtësisë duhet t’i gjejnë fajtorët për dëmin, dhe se shteti nuk guxon të qëndroj symbyllur para kësaj vjedhje.

“Ka ende kohe që shkelja për dëmin të parandalohet duke anuluar këtë vendim. Fakte për këtë, janë parë edhe në raportin e ministrit që ka dhënë në komision. Qeveria është e vendosur të shtyjë para këtë vendim dhe andaj ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që të marrë situatën në dorë, t’i vendosë para drejtësisë fajtoret. Të gjithë po e dimë që kjo është vjedhje”, tha deputeti i LVV.

https://kallxo.com/teksti-i-rezolutes-se-propozuar-per-53-milionet-shtese-te-autostrades/