Vetëvendosje Vazhdon të “Peshkojë” te Nisma

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të marrë në gjirin e vet ish-anëtarë të Nismës për Kosovën.

Sot kalimin në lëvizjen e drejtuar nga Visar Ymeri e kanë zyrtarizuar Xhevat Bislimi dhe Bajram Ajeti.

Ish-sekretari për marrëdhënie me publikun në Nisma, Xhevat Bislimi, tha se i takon një brezi që është rritur me idenë e Vetëvendosjes.

“Ne i takojmë një brezi qe jemi rritur me idenë e lirisë, me idenë e vetëvendosjes, me idenë për barazi ekonomike e shoqërore, prandaj edhe jetën tonë politike e kemi filluar në Lëvizje. Dëshira dhe vullneti i jonë është që në Lëvizje të bashkohen të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë”,  tha anëtari i ri i LVV-së.

Ndërsa, ish-anëtari tjetër i Nismës, Bajram Ajeti, i cili pak ditë më parë dha dorëheqja nga partia e drejtuar nga Fatmir Limaj, edhe pse kishte ftuar për një kohë të gjatë qytetarët që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së AAK-së dhe Nismës për protestën e 14 majit, tha se nuk do të marrë pjesë në të.

“Sinonim i protestave dhe reagimit qytetar është Lëvizja Vetëvendosje. Është e vërtetë që kam marrë pjesë në aktivitetet e Nismës sa i përket ftesës për protesta. Megjithatë, unë nuk do të marr pjesë, po flas për vetveten, por qytetarët nuk pengohen që të kenë reagimin e vet ndaj kërkesës së subjekteve që kanë marrë përsipër organizmin e kësaj proteste”, tha ai.

Kurse, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, u uroi mirëseardhje Bislimit dhe Ajetit, duke thënë se LVV po vazhdon të rritet. Aderimet e reja Ymeri i ka cilësuar si garanci për ndryshim rrënjësor në një shtet me sovranitet të plotë.

Para se këto dy ish-figura të Nismës të kalojnë në Vetëvendosje, e gjithë dega Nismës për Kosovë në Ferizaj ishte shkrirë në këtë parti.
Kohëve të fundit Nisma po përballet me largime të shumta. Si arsyetim për këtë në shumicën e rasteve përmendet lidhja e koalicionit me AAK-në.