Vetëvendosje: Telekomi ta bëjë publike vendimin për mosvazhdimin e kontratës me Z-Mobile

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Telekomi i Kosovës që ta bëjë publike vendimin për mosvazhdimin e kontratës me Z-Mobile.

“U bënë dy ditë nga deklarimet publike të Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryeministrit Haradinaj se kjo kontratë nuk do të vazhdohet pas 30 korrikut mirëpo ende nuk është bërë publike letra që i është drejtuar Z-Mobile. Ajo duhet të bëhet publike menjëherë”, thuhet në njoftimin e LV-së.

LV tutje thotë se asnjë fjalë nuk u tha se çfarë do të bëhet me borxhin abuziv që pretendon Z-Mobile, prej 26 milionësh.

“Çdo bisedim dhe marrje vesh me Z-Mobile/Devollin që llogarit në marrëveshje ku ia zhvat edhe 26 milionë të tjera Telekomit, punëtorëve dhe publikut si dhe çfarëdo tendence për të lidhur marrëveshje të re me Z-Mobile, nuk do të pranohet dhe do të kundërshtohet fuqishëm. Menaxhmenti sa më parë duhet të fillojë të bëjë gati kalkulimin e dëmit nga marrëveshja 10 vjeçare me Z-Mobile dhe kërkimin e dëmshpërblimit në gjykatë”, thuhet në reagimin e tyre.

Para dy ditësh kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi para mediave tha se kontrata 10 vjeçare me kompaninë Z-Mobile do të shkëputet.

https://kallxo.com/telekomi-shkeput-kontraten-me-blerim-devollin/

.