Vetëvendosje : Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur vendimin e marrë sot nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të z. Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë. Sipas tyre Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit.

Tutje ata kanë thëne se vetë Cakaj ka qenë anëtar ‘ formal’ brenda kësaj lëvizjeje.

“Dëshirojmë ta sqarojmë opinionin e gjerë publik se Cakaj ka qenë i anëtarësuar formalisht në Lëvizjen VETËVENDOSJE! para vitit 2011. Ne nuk e dimë datën e saktë të largimit të tij nga Lëvizja sepse ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim organizatës” thuhet në postimin në Facebook të kësaj Lëvizjeje.

Tutje në këtë postim ata përmendin lidhjen që sipas tyre e ka Gent Cakaj me drejtorin e televizionit Klan Kosova Baton Haxhiun, të cilin e kanë fajësuar për ndarjen e kësaj partie.

“Haxhiu ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së para dhe gjatë lufte, vartës i krerëve të saj, Jovica Stanishiq dhe Zoran Stijoviq, dhe i përfshirë direkt në planin për largimin e disa deputetetëve që u shkëputën nga Lëvizja VETËVENDOSJE! vitin e kaluar, pasi morën padrejtësisht mandatet e fituara në emër të Lëvizjes. Në planet e Baton Haxhiut, duket se Gent Cakaj ka shërbyer si pararojë e të ikurve. Në Prishtinë dihet ajo që thotë Baton Haxhiu se e ka angazhuar për vite të tëra Cakajn me pagë shumë të lartë që të bëjë analizën e sondazheve të cilat i porosit Haxhiu. Prandaj, Baton Haxhiu sot e kërcënoi Presidentin Meta me një reagim, sepse është i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar” thuhet tutje në këtë postim.

Duke iu referuar emisionit të datës 3 janar 2018 në Klan Kosova, Lëvizja Vetëvendosje e konsideron Cakajn bashkëfajtor për humbjen e 8.200 hektarëve.

“Në të njëjtin emision televiziv, Gent Cakaj shfaq mbështetjen e tij për humbjen e 8.200 hektarëve që i ka ndodhur Kosovës përmes Marrëveshjes së padrejtë për “Demarkacionin” me Malin e Zi. Ai godet Komisionin e ri dhe profesional që u themelua pas kritikave të forta që mori marrëveshja” thuhet tutje në këtë postim.

Sipas tyre Cakaj poashtu ka në po këtë emision ka dhënë deklarata të cilat janë kundër qëndrimit zyrtarë të Republikës së Kosovës.

“Më tej Cakaj deklaron: “Çeshtja është që normalizimi duhet të zgjidh dy çështje – rregullimin praktik të raporteve Kosovë-Serbi. Edhe nëse nuk presupozohet njohja, mosnjohja e Serbisë mos të manifestohet drejtperdrejt në terren”. Me këtë pozicionim, Cakaj del kundër qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë edhe të Republikës së Kosovës, të cilat kërkojnë një marrëveshje që përfundon me njohje reciproke” thuhet tutje aty.

Në këtë postim Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur disa nga  vendimet e Qeverisë Rama duke shtuar se emërimi i Cakajt do të ishte i pavendë.

“Ne i vlerësojmë disa ide dhe politika progresive të Qeverisë Rama, si kalimi nga taksa e sheshtë te ajo progresive, vendosjen e shpërblimit për fëmijët e sapolindur, etj. Gjithashtu, e vlerësojmë edhe deklaratën e tij për pavarësinë e Kosovës në takimin e parë në Beograd me Vuçiqin në datën 10 nëntor 2014, por emërimi i Gent Cakajt ka qenë krejt i pavend”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar Cakajn që të marrë një qëndrim rreth akuzave të bëra nga VV,në profilin e tij zyrtar në Facebook por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje

 

https://kallxo.com/ilir-meta-nuk-e-dekreton-gent-cakajn-shkaku-i-deklaratave-pro-korrigjimit-te-kufijve-dokument/