Homazhe në përvjetorin e vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit – Foto: Facebook/ LëvizjaVetëvendosje

Vetëvendosje: Për Mon Balajn e Arben Xheladinin kurrë nuk pati drejtësi

Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar dy aktivistët e saj të vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, Mon Balaj e Arben Xheladinin.

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë vrarë nga policë të UNMIK-ut në Prishtinë derisa po protestonin kundër negociatave me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

“10 Shkurti është vazhdimi i përpjekjes së popullit të Kosovës, e cila nuk u bë për zëvendësimin e shtypjes koloniale me sundim ndërkombëtar, por për pavarësi dhe barazi mes popujsh. Më 10 Shkurt u ngritëm kundër Planit të Ahtisaarit të 2 shkurtit 2007, i cili Republikën e mendonte jo të pavarur, por të mbikëqyrur me sundimin politik dhe policor ndërkombëtar, dhe jo Republikë me vetëvendosje popullore, por si bashkësi komunitetesh etnike. 10 Shkurti ishte marshi paqësor i një populli për vetëvendosje, kundër një ideje që e mohonte me plumba edhe popullin, edhe parimin e vetëvendosjes, edhe sovranitetin e Republikës”, thuhet në komunikatën e VV.

Po ashtu në komunikatë Vetëvendosje ka thënë se përgjegjësit e vrasjes së Balajt dhe Xheladinit nuk janë përballur kurrë me drejtësinë.

“Për të rënët e 10 shkurtit kurrë nuk pati drejtësi. Përgjegjësit e dy vrasjeve dhe urdhëruesit e tyre nuk u përballën kurrë me drejtësinë. Kosova me parimin e vetëvendosjes nuk është subjekt problematik, por mënyra e zgjidhjes së njërit prej problemeve të Serbisë dhe mënyra e zgjidhjes së një pjesë të çështjes shqiptare. Dëshmia e Arben Xheladinit dhe e Mon Balajt është dëshmia se paketa e Ahtisaarit për statusin e Kosovës ishte me kushtin që t’ua mbyllte gojën shqiptarëve, dëshmia e një Republike me gjuhën e prerë. Kosovës i janë kufizuar aftësitë me shtypjen e parimit të vetëvendosjes. Lavdi Monit dhe Arbenit!”, thuhet më tej në komunikatë.

Aktivistë e drejtues të Vetëvendosjes kanë bërë homazhe te varret e Mon Balajt e Arben Xheladinit, si dhe te vendet ku ata vdiqën nga plumbat e kauçukut të Policisë së UNMIK-ut.