'Vetëvendosje' në Shqipëri kundërshton vizitën e Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut

Lëvizja Vetëvendosje qendra në Shqipëri është shprehur kundër vizitës së Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik në Tiranë për të marrë pjesë në takimin “Brdo-Brione”.

Bioken Abazi, drejtor ekzekutiv nga qendra në Tiranë tha se Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut, janë kundër popullit shqiptarë dhe hasmërinë e tyre e kanë shpallur edhe haptazi.

“Të dy këta politikan, qoftë Dodiku, qoftë Vuçiqi janë udhëheqës të cilët kanë shprehur prirje të forta qoftë ndaj kombit shqiptarë, qoftë ndaj popujve të tjerë të Ballkanit. Këta janë dy politikan që kanë shprehur haptazi armiqësinë e tyre duke mohuar të drejtat e popullit shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kosovë dhe më gjerë” , tha ai.

Tutje Abazi, ftoi qytetarët që nesër në ora 18:00, para monumentit të “Vëllezërve Frashëri”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, për të shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë vizitë.

“Ftojmë qytetarët që të na bashkohen në një reagim, paqësor, simbolik. Aty ne do të kemi mesazhet tona të qarta ne lidhje me këtë vizitë, do të mbajmë disa fjalime dhe do të shprehim kundërshtimin tonë ndaj kësaj vizite” theksoi ai.

Më 8 prill të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosja ka hapur qendrën e saj edhe në Shqipëri.