
Foto: Facebook
Vetëvendosje mohon se 50 anëtarë të saj dhanë dorëheqje në Mitrovicë
Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Mitrovicë, ka mohuar pretendimet e ish-anëtarit të saj se 50 aktivistë kanë dhënë dorëheqje nga pika e Vetëvendosjes në fshatin Kçiq.
Hysni Hasani, kryetar i pikës së Vetëvendosjes në Kçiq, sot gjatë ditës ka shkruar në rrjetin social ‘Facebook’ se ai bashkë me 50 anëtarë të tjerë, ka dhënë dorëheqje nga LVV-ja, duke e akuzuar këtë të fundit për keqpërdorim me pushtetin.
“VV në Mitrovicë është mbyllur në mbrojtje të interesave klanore të Faruk Mujkës, dhe njëkohësisht një vegël e një kryetari injorant, siç është Agim Bahtiri. Në Mitrovicë, të nënshtruarit e Faruk Mujkës ngasin për të punësuar dajë e teze, me heshtjen e krerëve të Vetëvendosjes në Prishtinë”, ka shkruar ndër të tjera Hasani.
Ndërsa Kryesia e VV-së në Mitrovicë ka mohuar dorëheqjen e këtyre anëtarëve, duke thënë se kryesia e pikës në Kçiq është në procedura disiplinore qysh nga muaji tetor i vitit 2018, “për shkak të shkeljeve të shumta statutore dhe disa sjelljeve në kundërshtim me vlerat etike dhe morale”.