Vetëvendosje me aksion simbolik 'Këtu grabitet ekonomia'
Me parullën “Këtu grabitet ekonomia, shtjerret buxheti i shtetit dhe zbrazen xhepat e qytetarëve”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aktivitet simbolik në Terminalin Doganor në Fushë Kosovë.
Kryetarja e qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, Albana Gashi tha se këtë po e vendosin në vendin ku më së shumti bëhet shkatërrimi i ekonomisë.
“Do ditë shohim shkatërrimin e ndërmarrjeve publike në vazhdën e shkatërrimit të ekonomisë së vendit dhe dëmtimit të interesit publik. Prapa këtyre shkatërrimeve shpesh fshihen interesa politike e klanore, por në këto interesa janë të lidhura ngushtë politika dhe krimi i organizuar”, tha Gashi.
Ajo po ashtu tha se interesi i politikanëve ka shkatërruar edhe Telekomin.
“Interesi i ngushtë dhe kapitali kanë kapur mendjet e zyrtarëve publikë që nuk po shqetësohen fare për qytetarin e varfër, e tillë është dhe vetë shkatërrimi i Telekomit dhe shumë rasteve të tjera. Ne po e vendosim këtu sepse është vendi ku më së shpeshti lidhen këto fenomene”, tha Gashi.
Ajo po ashtu ka fajësuar edhe kompaninë “Devolli Group” për krijimin të monopolit.
“Kompania Devolli Grup është sinonim i ekonomisë së kapur por jo vetëm ata janë sinonim i politikës së kapur e shtetit të kapur. Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive të fuqishme në vend si Z-mobile, terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, kanë krijuar monopol në shumë fusha”, tha ajo.