Vetëvendosje Kërkon Zgjidhje nga Qytetarët

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i ka shpallur të dështuar bisedimet që u zhvilluan sot në Zyrën e Presidentes së vendit, pavarësisht se vetë e bojkotoi këtë takim.

Në një konferencë për shtyp, Ymeri e cilësoi të dëmshëm takimin e organizuar nga Atifete Jahjaga ndërsa u përqendrua në protestën të cilën opozita e ka thirrur më 17 shkurt në Prishtinë.

“Mendojmë takimet e tilla nuk janë të dobishme, por janë të dëmshme. Ne do të bashkëpunojmë, por ky duhet të bëhet bashkëpunim për rezistencë deri në largimin e kësaj qeverie”, tha Ymeri duke iu referuar pjesëmarrjes në takim të një aleati të tij opozitar, Ramush Haradinajt të AAK-së.

Ymeri tha që edhe protestat e opozitës tashmë kanë dal përtej subjekteve politike që i kanë thirrur ato.

“Protesta e opozitës së bashkuar ka dal përtej tri subjekteve politike. Zgjidhja do të vijë përmes qytetarëve, s’mund te ketë zgjidhje institucionale”, tha ai.

Ai përsëriti qëndrimin që kjo qeveri nuk ka reflektuar dhe duhet të shkojë.

“Sot edhe një herë u dëshmua nga Isa (Mustafa) e Hashimi (Thaçi) se kjo qeveri nuk e ka ndërmend të reflektojë fare e as ta marrë seriozisht të largohet. Edhe nga deklarimet e sotme u pa që e kanë ndërmend të vazhdojnë me proceset e dëmshme. Shkaktarët e krizës janë ata. U dëshmu se zgjidhja s’mund të jetë përmes dialogut, po përmes qytetarëve. Nuk do të ketë marrëveshje me ta që t’ua mundësojë atyre të rrinë në pushtet”, tha Ymeri.