Ilustrim - Gazi lotsjellës në Kuvend (Mars 2018) - Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje Kërkon Lirimin e Deputetëve të Saj

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi lirimin e shtatë deputetëve të arrestuar të saj nën dyshimin për hedhje të gazit lotsjellës.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetëve Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.

Ky subjekt politik thotë se “deputetët që u arrestuan dhe larguan dhunshëm nga salla e Kuvendit ende po vazhdojnë të mbahen në paraburgim vetëm pse u vunë në mbrojtje të republikës”.

Vetëvendosje në reagim e konsideron kryetarin e Kuvendit përgjegjës për arrestimin e deputetëve.

“Ky arrestim i deputetëve të Lëvizjes erdhi me urdhër të kryepolicit Kadri Veseli për të liruar sallën e Kuvendit që dje kishte për qëllim faljen e territorit, legjitimimin e tradhtisë së Thaçit, e të gjitha këto me ndihmën e Kryeministrit Haradinaj”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Dje deputetët e këtij subjekti politik katër herë hedhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, sa herë tentohej të votohej për marrëveshjen e demarkacionit.