Albulena Haxhiu dhe Avni Zogiani ne konference per media Foto: Levizja Vetevendosje

Vetëvendosje, kallëzim penal ndaj qeverisë e gjyqtarëve të Kushtetuese për pagat

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e qeveritarëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka nisur të hartojë kallëzimin penal për kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votim, përfshirë edhe gjyqtarët e Kushtetueses të cilët rritën edhe pagat e tyre.

Sipas Vetëvendosjes pagat nuk mund të rriten pa vendim të Kuvendit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në vend që ta ndalonin abuzimin me paranë publike, i’a kanë mundësuar vetën rritjen e pagës.

“Aktgjykimi i Gjykatës se rritja e pagave nga qeveria për vetë qeverinë dhe stafet e tyre është brenda normës kushtetuese tregon më shumë për karakterin në të cilin është zhytur trupa e gjyqtarëve se sa për vet vendimin’’, tha deputetja Haxhiu, thuhet në komunikatën e Vetëvendosje.

Sipas Haxhiut, vendimi për rritje të pagave është vepër penale, sepse ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit.

“Vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritje të pagave përpos që është vepër penale është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi mospajtues i dy gjyqtarëve te Gjykatës Kushtetuese, znj.Gresa Caka-Nimani dhe Almiro Rodriguez”, tha tutje Haxhiu.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës dje shufiqoi vendimin e pezullimit për ngritjen e pagave, të cilin e kishte marrë muaj më parë, pasi që kjo çështje kishte shkuar në Gjykatë Kushtetuese.

Kjo e fundit, nuk ka gjetur asgjë anti-kushtetuese te vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave, ani pse ky vendim i mundëson edhe vet atyre rritje të pagës.