KALLXO 360: LVV i Vlerëson Hakmarrëse Arrestimet

Nënkryetari i kësaj lëvizjeje Driton Çaushi dhe deputeti Albin Kurti në konferencë për media folën për arrestimin “që nuk mund të priste” të të parit të partisë, Visar Ymeri.

“Sot policia arrestoi hiç më pak se Visar Ymerin”, tha Kurti.

Ish-kreu i VV-së tha se shumë janë grumbulluar në pallat.

“Mbi 400 mijë lëndë që flenë në atë pallat të padrejtësisë mund të presin, por arrestimi i Visarit e Glaukut duhet bërë menjëherë, e në mëngjes,” tha Kurti.

Sipas tij gjyqësia, prokuroria e policia janë bërë të zellshëm e shumë aktivë në arrestimin e deputetëve e aktivistëve të VV-së.

“Ne po shtohemi e nuk po frikësohemi,” deklaroi Kurti.

Visar Ymeri u arrestua sot për të marrë pjesë në gjykimin ku akuzohet për sulm ndaj deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu me qëllimin e shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

http://kallxo.com/visar-ymeri-sillet-ne-gjykate/

Ndërsa nënkryetari Driton Çaushi tha se gjashtë muajt e fundit janë arrestuar qindra aktivistë e dhjetëra deputetë ku “në raste të shumta janë përdorur edhe metoda që klasifikohen si torturë”.

Sipas Çaushit, “Vetëvendosje” i di arsyet e arrestimeve. “[Vijnë] si pasojë e rezistencës intensive e të suksesshme …”

Ata folën edhe për seancën e zgjedhjes së Thaçit President dhe dërgimin në Kushtetuese për vlerësim të procedurave të ndjekura gjatë kësaj zgjedhjeje, por nuk thanë se kur do të ndodhë.

“Besoj që aty ka shkelje procedurale e përmbajtjesore…,” tha Kurti.

Në fund ai shtoi se policia do të duhej të bastiste edhe zyrat e PDK-së më 26 shkurt, natën kur një militant I kësaj partie kishte shtënë me armë nga dritarja e selisë së PDK-së.

“Standardet e dyfishta tregojnë mungesën e standardeve,” tha Kurti.