Foto: Facebook/ LevizjaVetevendosje

Vetëvendosje e 'ndriçon' me fenerë e qirinj qytetin e udhëhequr nga Shpend Ahmeti

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë po përkrah shqetësimet e banorëve të lagjes Dardania për shkak të mosndriçimit në këtë lagje, duke bërë thirrje që projekti i shëtitores së “Kurrizit” të përfundojë.

Në shenjë proteste ndaj mosndriçimit, aktivistët e VV-së kanë ndezur disa fenerë e qirinj.

Aksionin ata e kanë bërë publik në faqen e tyre në “Facebook”.

“Vazhdon të mbetet i papërfunduar projekti i shëtitores së Kurrizit në lagjen Dardania. Banorët e kësaj lagjeje janë ankuar veçanërisht për mungesë të ndriçimit, që e vështirëson jetesën e banorëve dhe bizneseve që operojnë në këtë lagje. Për banorët janë shqetësuese kabllot e rrymës që kanë mbetur të zbuluara dhe që paraqesin rrezik për banorët, e veçanërisht për fëmijët e lagjes”, ka njoftuar Vetëvendosje dega në Prishtinë.

Tutje sipas tyre, përveç ndriçimit është shprehur brenga për neglizhencën e Komunës ndaj hapësirave të dedikuara për gjelbërim kur këtë punë do të mund ta kryente me ‘Hortikulturën’.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, fton ekzekutivin që të gjejë mënyra të zgjidhjes së këtyre problemeve, qoftë duke detyruar kompaninë kontraktuese ta përfundojë këtë projekt, ose duke përdorur kornizë-kontratat e shumëta që i ka në dispozicion komuna”, është thënë në postimin e VV-së.