Vetëvendosje: Bashota po Ikë Nga Drejtësia

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot që “të dënohet” kryetari i Klinës, Sokol Bashota, i cili po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.

Sender Mërturi, asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Klinës, ka akuzuar Bashotën se nuk i është përgjigjur organeve të drejtësisë të cilat e kanë kërkuar dje në zyrë dhe në shtëpi.

“Sipas informatave që i kam, ai nuk i është përgjigjur ftesës që ia ka bërë dje Prokuroria, por as sot nuk ka dalë në punë. Në orën 8 nuk është paraqitur në vendin e tij të punës, ne besojmë që ai po i ik drejtësisë”, tha Mërturi.

Hetues nga policia dhe prokuroria bastisën dje zyrat e komunës së Klinës dhe shtëpitë e kryetarit Sokol Bashota, vozitësit të tij dhe një zyrtari të prokurimit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shqipe Pantina deputete e Vetëvendosjes i bëri thirrje prokurorisë për hetim të të gjitha rasteve në të cilat kryetari i Klinës dyshohet për keqpërdorim.

“Kjo ka ardhur si rezultat i kallëzimit penal të ushtruar nga LVV në gusht të vitit të kaluar. Ne shpresojmë se prokuroria do ta kryejë punën e vet duke hetuar të gjitha rastet e keqpërdorimeve, keqmenaxhimit dhe korrupsionit të ushtruar nga kryetari Bashota dhe ekipi i tij nga të cilët qytetarët e Klinës kanë pësuar një sërë dëmesh”, tha Pantina.