Veterani i UÇK-së e Hedh Shtëpinë në Pazar, Synon Emigrimin

Kur ishte rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998, 18 vjeçari i atëhershëm Faik Zogaj, nuk e kishte imagjinuar se do të vijë koha që vendin për të cilin luftoi për ta çliruar do të kërkonte ta lëshonte në mënyrë vullnetare.

Ja ku është tani ai, 16 vjet më vonë.

Shtëpia e tij bashkë me truallin prej 30 ari është në pazar me një çmim shumë të ulët.

E paratë që ai pret t’i marrë nga një blerës potencial e kanë një destinacion: financimin e rrugës së ikjes nga Kosova për të, gruan dhe gjashtë fëmijët.

“Kështu kam ardhur në përfundim me shit këtu me ka krejt, qit shtëpinë një katëshe, brenda është e rregulluar me ka krejt, për 15 000 euro e jap veç me dal”, thotë Zogaj.

Mijëra kosovarë ia kanë mësyrë migrimit, nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë duke shfrytëzuar rrugë ilegale në kërkim të një jete më të mirë.

Ndërsa për Faik Zogajn, e kaluara që ai e kujton me mburrje, ka mbetur vetëm në fotografitë që i ka ruajtur.

Ai me nostalgji dhe me emocione, ua tregon fotografitë e luftës fëmijëve të tyre.

Përlotet kur u rrëfen atyre për Adem Jasharin dhe u thotë se po të ishte gjallë ai, kosovarët nuk do të iknin nga vendi i tyre.

Arsyeje pse dëshiron të ika nga Kosova janë kushtet ekonomike.

“Veç puna këtyre fëmijëve, send për tjetër jo, për atë arsye duhet me ik. Punë kam lyp qe dy vjet, askund  një vend pune nuk ma afrojnë. Nëse e ki dajë apo nip kryetarin apo atë tjetrit ta afrojnë vendin e punës përndryshe nuk ke vend pune. Nuk kam luftuar për një vend pune”, thotë ai për KALLXO.com.

Por, për t’i bërë të hollat, ai ka vendosur ta shesë çdo gjë që mund të shitet duke filluar prej kompjuterit, serrës e deri të shtëpia. Por dertin e ka te vajza më e vogël, 18 muajshe.

“Kjo më ka shti deri sot mos me dal, se ftoftë, natës rrugës, kjo me ka shti mos me dal deri sot, po sot e te masë nuk kam qare pa ikë“, thotë ai.

Ai thotë se nuk do ta merrte këtë rrugë, sikur ta kishte një vend pune, të cilin e kërkon nga kryetari i komunës.

“Nëse mua më garanton kryetari i komunës, një vend pune, jo fushatë, por me thirr të hënën hajde ne punë, 200 euro, 200 euro pajtoj, veç puna këtyre fëmijëve, jam tu e lëshu, nuk jam tu e lëshu për veti”, thotë ai.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përmes telefonit, tha se nuk është i njoftuar për rastin konkret, por premtoi se do të shkojë të takohet me Faik Zogajn për t’u përpjekur ta parandalojë ikjen e tij nga Kosova.

Begaj tha se nuk mundet t’i sigurojë vend pune Faik Zogajt, por do t’i shkojë mundësitë për ndihmë në sektorin e bujqësisë.

Për këtë situatë, Begaj fajëson pushtetin qendror.

“Komuna nuk ka mundësi me i ba zgjidhje qytetareve, pasi e kanë pru gjendjen më keq se para luftës. Qeveria e Kosovës i ka fajet, pasi ka njerëz me tri katër puna, me rroga 4-5 mijë euro, kurse qytetarët nuk ka bukë më hëngër” tha kryetari i Malishevës.

Ndërsa Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleqan, thotë se migrimi është duke prekur çdo ditë e më shumë këtë fshat pasi mbi 8 familje janë larguar deri më tani nga Mleqani.

“Migrimi është duke e prek për çdo ditë, i kemi tetë familje që kanë ikë për shkak kushteve ekonomike të vështira. Punë nuk ka”, tha Kryeziu.