Ilustrim | Foto: KALLXO.com

Veteranët në Pejë Kundër Matjes së Territorit

Veteranët e UÇK-së nga Peja, Gjakova, Deçani dhe Istogu marshuan sot në kundërshtim të nismës për matjen e territorit të Kosovës që u propozua nga Kryeministri Isa Mustafa.

Sipas një komunikate të lëshuar nga dega e veteranëve në Pejë, Gazmend Syla, kryetari i kësaj dege tha se anëtarët e komisionit për matjen e territorit nuk janë shquar për atdhetari.

“As kryetari Hivziu, e as anëtarët e komisionit, asnjëherë nuk e kanë dëshmuar me ndonjë akt se e dojnë vendin e tyre. As para, as pas, e në luftë as që bëhet fjalë,” tha Syla sipas komunikatës.

Kryetar i Komisionit për Matjen e Territorit nga Kryeministri Mustafa u emërua Hivzi Islami, kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK). Ky komision mbledhjen inauguruese e mbajti më 24 janar.

http://kallxo.com/hivzi-islami-ne-krye-te-komisionit-per-matjen-e-territorit/

Gjatë marshit protestues, Syla, siç u theksua në komunikatë, pati porosi edhe për deputetët që të mos e votojnë demarkacionin në kufijtë e përcaktuar me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 të nënshkruar me Malin e Zi në Vjenë.

Protestuesit përshëndetën edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinajn që po mbahet në Francë, pasi u arrestua me fletarrestim të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.