Ereniku

Veteranët e UÇK-së dhe OJQ-të e Junikut në protestë për lumin Erenik

Komuna e Junikut nesër në orën 11 do të protestojë në mbrojtje të lumit Erenik për të kundërshtuar devijimin e rrjedhës natyrale të tij.

“Njoftojmë mediat e shkruara dhe elektronike, që Komuna e Junikut në bashkëpunim me Shoqërinë Civile, Organizatat e dala nga Lufta dhe Bizneset Lokale organizon Protestë Gjithëpopullore me datë 19.07.2019 (ditë e premte), në ora 10:00, në mbrojtje të Lumit Erenik dhe kundërshtim të devijimit të rrjedhës natyrale të tij”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kjo protestë organizohet kundër vendimeve dhe veprimeve të paligjshme të Komunës së Gjakovës,  KRU Gjakova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për marrjen e Lumit Erenik.

Komuna e Junikut kishte protestuar për të njëjtën çështje edhe në muajin prill të këtij viti.

Lumi Erenik është duke u degraduar nga kompani të ndryshme, të cilat po nxjerrin zhavorrin.

Si pasojë e marrjes së zhavorrit në këtë pjesë të lumit, mbi 20 hektarë tokë kanë mbetur pa ujitje dhe mbi 30 shtëpi kanë problem me ujë të pijshëm, pasi një pjesë e fshatit Nivokaz furnizohen me bunar.

Me 16 korrik, Kryetari i Komunës së Junikut i ishte drejtuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj një ftesë publike ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të shfuqizojë vendimin për punimet dhe veprimet e paligjshme siç i ka quajtur ai përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e lumit Ereniku i Vogël.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), në një përgjigje për KALLXO.com në muajin maj, kanë bërë të ditur se asnjë kompani nuk janë të licencuara për nxjerrjen e zhavorrit.