Vetëm 35 % e Votuesve Dolën në ‘Referendumin e Xhamisë’

Me vetëm 35 % të votuesve të regjistruar që dolën në referendumin e fshatit Dubravë të Suharekës, komuna thotë se është e kënaqur me përgjigjen që qytetarët i dhanë procesit në të cilin u pyetën se a duan xhami në fshatin e tyre apo jo.

Me vetëm 1 votë kundër, banoret e fshatit Dubravë i kanë thënë PO ndërtimit të xhamisë në këtë fshat, në referendumin e mbajtur sot, për këtë çështje.

Në referendum kishin dalë 267 persona, ndërsa prej tyre 266 u janë përgjigjur me PO pyetjes, se a janë për ndërtimin e xhamisë në parcelën e varrezave, ndërsa vetëm një person ishte përgjigjur me JO.

Të drejtë vote në këtë fshat kanë pasur 750 votues sipas listave zgjedhore të fundit, ndërsa ftesës iu kanë përgjigjur vetëm 35 % e qytetarëve.

Nuhi Llugaxhiu, anëtar i komisionit për votim dhe zyrtar i komunës së Suharekës, tha për KALLXO.com se thirrjes së komunës së Suharekës për të dalë në referendum iu kanë përgjigjur 267 banorë të këtij fshati.

“Referendumit iu kanë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve, ndërsa shumica janë përgjigjur me Po, për ndërtimin e xhamisë në këtë fshat, pasi që prej 267 votuesve, vetëm 1 ka qenë kundër ndërtimit në këtë parcelë”, tha Nuhi Llugaxhiu.

Llugaxhiu tha se komuna e Suharekës është e kënaqur me daljen e qytetarëve në këtë referendum.

Ai tha se nuk ka prag të daljes në referendum.

“Komuna është e kënaqur me daljen e qytetarëve… nuk ka prag pasi që edhe 10 banorë të kishin dalë për të votuar, ai konsiderohet i suksesshëm”, tha Nuhi Llugaxhiu.

Ideja për “referendumin” ka ardhur pasi që nuk ka pasur qëndrim unik të banorëve rreth vendit të ndërtimit të xhamisë.

http://kallxo.com/dubrava-vendos-referendum-per-xhamine/

Në fakt, disa banorë po e kundërshtojnë kërkesën për ndërtimin e xhamisë te varrezat në qendër të fshatit, me arsyetimin se nuk ka vend të mjaftueshëm për varre.

Donator i kësaj xhamie është një biznesmen nga ky fshat që jeton e punon në Londër.