Foto-ilustrim

Vetëdorëzohet i Dyshuari për Vrasje në Tentativë në Skenderaj

Një rast me elemente të veprës penale ‘vrasje në tentativë’ është iniciuar dhe proceduar në orët e pasdites të datës 21 shkurt, rast ky i raportuar në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor në Skenderaj.

Sipas Policisë Rajonale të Mitrovicës, ngjarja fillimisht ishte raportuar për një person të plagosur nga arma e zjarrit.

“Njësi përkatëse policore menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku me të arritur në vendin e ngjarjes në fshatin Plluzhinë të Skenderajt, bëjnë të ditur se i plagosur nga arma e zjarrit kishte mbetur viktimat N.M., 45 vjeçar, i cili pas tretmanit mjekësor të dhënë në QKMF Skenderaj është transferuar për në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes ku është kryer vepra penale në cilësi të provës materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë pushkë automatike.

“Në bazë të të dhënave të para të siguruara, Policia ka identifikuar identitetin e personit të dyshuar, ku menjëherë ishin vënë në kërkim të tij, ndërsa sot me 22 shkurt 2018, në orët e mesditës është vetëdorëzuar i dyshuari S. H., 45 vjeçar, tek i cili është konfiskuar një armë e llojit pistoletë”, thekson njoftimi i Policisë.

Pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas prokurorit kompetent rasti po hetohet ‘vrasje në tentativë’.