Vështirësitë në Hetimin dhe Gjykimin e krimeve të Luftës

Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, tha se mungesa e të akuzuarve po paraqet problem në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.

Kur u pyet konkretisht për hetimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur në fshatin Krushë të Vogël ndaj civilëve shqiptarë, Meucci u shpreh se nuk mund të flasë për probleme specifike të rasteve të krimeve të luftës por e hodhi problemi te mosekstradimi i të dyshuarve nga Serbia në Kosovë.

“Mirëpo, problemi tek krimet e luftës të asi lloji është që të akuzuarit janë në Serbi, ata nuk po ekstradohen, shërbimi prokurorial i Serbisë po punon me rregullat e tyre, dhe sistemi i komunikimit që e kemi është duke kaluar nëpër delegacionin e BE-së në Beograd dhe përmes tyre në zyrën e BE-së në Prishtinë, dhe nëpër këtij kanali prokuroria shkëmben informacione. Tani më në fund e kemi një prokuror nga Kosova që po merret me këto raste sepse ne nuk e kishim askënd deri dy muaj më parë dhe ishim të vetmit që merreshim me këto raste”, tha Meucci në intervistën për “Jeta në Kosovë”.