Vështirë të Mbërrihet Pensioni prej 240 Eurosh

Pensionin prej 240 eurosh, sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, do ta mbërrijnë pensionistët kontributdhënës me 40 vjet përvojë pune dhe shkollim superior.

Qeveria rriti pensionet bazë të kontributdhënësve për 18 euro më 8 janar, ndërsa atyre që kanë përvojë pune mbi 15 vjeçare para vitit 1999 ua njohu përvojën prej 25 vjetësh.

Përveç rritjes së pensionit bazë, pensionistëve kontributdhënës do t’u shtohet pensioni në varësi nga kualifikimi që kanë.

http://kallxo.com/158-euro-pensionet-per-kontributdhenesit/

Kualifikimi arsimor do të jetë kriteri kryesor për rangimin e pensionistëve, ky kualifikim do të filloj me edukimin fillor, edukimin e mesëm, edukimin e lartë dhe atë universitar.

“Pensionistët do të ftohen që të sjellin dëshmitë e tyre mbi kualifikim përkatësisht edukimin e tyre, nga data 18 janar 2016 deri më fund shkurtit 2016, ndërsa pagesat e pensioneve do t’i marrin në mënyrë retroaktive nga data 01 janar 2016,” shkroi ministri Abrashi në Facebook pas rritjes së pensioneve.

Por disa nga pensionistët e intervistuar nga KALLXO.com pas rritjes së pensionit bazë, këtë veprim të qeverisë e konsideruan lëmoshë dhe vendim të vonuar.

http://kallxo.com/pensionistet-rritja-si-lemoshe/

Por ministri i Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hoti tha se gjatë këtij viti do të rriten fondet e skemave pensionale.

“Fondi i skemës pensionale rritet për 23 milionë euro… Kjo është punë e kryer”, ka shkruar Hoti.

Kjo rritje e fondeve për skemat pensionale u paralajmërua në tetorin e vitit të kaluar kur Ministri i Financave u dakordua me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar që të shtojë paratë për pensionet në 2016-ën.

http://kallxo.com/23-milione-euro-me-shume-per-pensionet-ne-2016-en/

Por krahas me shtimin e parave për fondet e pensioneve, ministri Hoti paralajmëron që pensionistët jokontributdhënës që nuk jetojnë në Kosovë do të hiqen nga listat e marrjes së këtyre parave dhe kështu pretendohet të kursehen 18 milionë euro.

Pensionistët e moshës nuk janë përfshirë në rritje, ndërsa atat marrin nga 80 euro.

Sipas të dhënave të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës është rreth 40 mijë numri i pensionistëve kontributdhënës, të cilët aktualisht marrin nga 140 euro në muaj.

Autoritet serbe tashmë 16 vjet po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar kthimin e fondit pensional në Kosovë dhe nga të dhënat e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës bëhet fjalë për rreth 1 miliard euro që Serbia duhet t’ua kthejë pensionistëve kosovarë.

Kthimi i fondit pensional nga Serbia për në Kosovë pritet të jetë temë e debatit në bisedimet Kosovë – Serbi, të cilat po mbahen në Bruksel.