Veseli viziton Kullën e Isa Boletinit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vizitoi Boletinin e Mitrovicës, nën patronatin e të cilit, për nder të Festës së 28 Nëntorit, po bëhen homazhe dhe nderime te Kulla e Isa Boletinit.

“Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, nga Vlora në Boletin, nga Presheva në Ulqin, nga Shkupi në Shkodër, na bashkon nderimi për të parët tanë, na bashkon nderimi për të gjithë ata burra e gra që edhe në ditët më të vështira mbajtën gjallë idenë e kombit dhe bënë gjithçka mundën për lirinë e tij”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se e gjithë jeta e Isa Boletinit sublimon përpjekjet e vazhdueshme të kombit tonë për liri dhe dinjitet.

“Çdo 28 nëntor ne ngjitemi në këtë kodër historike, sepse këtu, në këto male të Shalës, këtu në konakun e Isa Boletinit, i ka rrënjët liria jonë kombëtare. Isa Boletini ishte njeri i pushkës dhe i fjalës. Ishte shëmbëlltyrë e tolerancës dhe e bashkëjetesës ndëretnike. Për Isa Boletinin patriotizmi nuk nënkuptonte urrejtjen dhe mohimin e të tjerëve që janë ndryshe”, theksoi kryeparlamentari Veseli.