Veseli: Të Publikohen Emrat e Uzurpatorëve në Kosovë

Rritja e transparencës, lirimin e të gjitha pronave shoqërore të uzurpuara si dhe dinamizimin e punës se Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishin disa nga temat e diskutuara në mes kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Bordit të AKP-së.

Petrit Gashi, kryesues i këtij bordi  tha se për ta është shumë e rëndësishme që të kenë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës në punët e tyre.

AKP në fund të vitit të kaluar është bërë me bord të kompletuar pas disa viteve të vështirësive në vendimmarrje për shkak të moszgjedhjes së anëtarëve.

Kryeparlamentari Veseli tha se transparenca e këtij Agjensioni është primare.

“Shumë shpejt do t’i kemi listat dhe emrat e atyre njerëzve të cilët që 16 vite kanë uzurpuar pronat publike dhe pronat shoqërore më Kosovë. Brenda dy jave ato do të jenë publike”, tha Veseli.

Përveç kësaj, sipas Veselit dhe Gashit, do të publikohen të gjithë emrat e atyre që kanë uzurpuar ndër vite pronën shoqërore.

Pas publikimit të këtyre emrave, Veseli e Gashi thanë se do të jetë koha e drejtësisë “që të veprojë”.

Deri në nëntor të viti 2014, rreth 600 asete të Kosovës kanë qenë të uzurpuara.

Veseli gjithashtu tha se sa më parë duhet të krijohen edhe 4 zona të tjera ekonomike në vend  për të pasur zhvillim ekonomik, si dhe të u krijohet investitorëve mundësi investimi dhe punësimi.

Ai premtoi edhe për punëtorët që të marrin 20 përqindëshin e parave që u takojnë nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Ndërsa Gashi tha se edhe pse nuk kanë një datë të caktuar edhe punëtorët e fabrikës së Tubave, ata “shumë shpejt” do ta marrin 20 përqindëshin.

Punëtorët e kësaj fabrike ka gati dy vjet që mbajnë grevë para ndërtesës së qeverisë në kërkim të parave nga privatizimi.

Veseli  gjithashtu foli edhe për Ndërmarrjen Publike Trepça, duke premtuar se  a “as një guri i Kosovës nuk do të privatizohet”, ndërsa paralajmëroi një ligj edhe për këtë ndërmarrje.

Kur u pyet nga gazetarët nëse njerëz të politikës janë bërë pjesë e bordit të AKP-së, kryesuesi Gashi u përgjigj se përbërja e këtij bordi është “e lezetshme”.

Emisioni Jeta në Kosovë mbrëmë trajtoi çështjen e politizimit të bordeve të ndërmarrjeve dhe institucioneve të pavarura publike të Kosovës.

http://kallxo.com/kapja-e-bordeve-nga-partite-ne-pushtet/