Veseli: Të gjithë do të japin llogari për pasurinë publike madje edhe për gratë

Parandalimi i konfliktit të interesit është bërë shkak i një takimi të përbashkët mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me ministrin e Drejtësisë, Aberald Tahiri, atë të Financave, Bedri Hamza dhe drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli tha se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se secili person që ka pozitë publike do të japë llogari.

“S’frikësohemi nga askush, mbi të gjithë ne është ligji dhe mos të harrojnë se një ditë do të vjen dita për secilin ku do të troket një prokuror që ndoshta ata nuk e bëjnë shumë hesap. Nuk mundet askush me bëjë si do me pasurinë e taksave të Kosovës. I njohin të gjithë cilët janë të korruptuar, nga e bënë gjithë atë pasuri, nga i bënë gjithë ato shpija, gjithë ato makina, gjithë ato gra”, tha Veseli.

Kurse, ministri i Drejtësisë, Aberald Tahiri tha se asnjëherë më shumë se tani nuk ka pasur vullnet politik për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Jemi duke bërë plan konkret edhe me Havollin edhe me ministrin e Financave si dy partner kyç në implementimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë publike. Sot e kemi një politikë që me angazhim do t’i ndalojë humbjen e miliona eurove. Do të vazhdojë një angazhim të përbashkët që t’ju bëjmë më dije edhe institucioneve publike edhe universiteteve për politikën e cila është në fuqi dhe për atë që duhet ta parandalojmë, në të kundërtën të gjithë këta zyrtarë do të ballafaqohen me ligjin në rast të keqpërdorimeve me para publike”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se do t’i krijojnë të gjitha resurset financiare që të fuqizohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se ligji për konfiskimin e pasurisë publike do t’ia kufizojë pozitat zyrtare personave publik.

“Siç e dini ligji për konflikt interesi është mjaft i avancuar, edhe rekomandim i zyrës së BE-së ka qenë të avancohet. Shumë zyrtarë kanë mbajtur shumë pozita në të njëjtën kohë në institucione të ndryshme, tash e tutje ky ligj ia shkurton në vetëm një pozitë të lartë”, tha ai.