Veseli takon ish-luftëtarë të UÇK-së, vazhdon me deklarime për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot një grup bashkëluftëtarësh nga zona të ndryshme.

Ai ka kujtuar kohërat e luftës, ndërsa sipas Veselit me bashkëluftëtarët kanë biseduar për betejat e zhvillimit të vendit kurse ikjen e rinisë nga Kosova e ka cilësuar dështim.

“Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam.  Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë. Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë”, ka shkruar Veseli.

Veseli ka shkruar se bashkë me luftëtarët UÇK-së do ta vazhdojë nismën për të hetuar e pastruar listat e veteranëve. Ai ka shtuar se beteja tash është për një shtet demokratik e të zhvilluar duke e pasur në prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

“Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu si kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë. Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën”, ka vazhduar ai.

Dje, në Ditën ndërkombëtare të Rinisë Veseli ka takuar disa të rinj nga Kosova që janë larguar nga vendi e aktualisht janë me pushime në vendlindje.

Në përshkrimin që Veseli u ka bërë të rinjve që i ka takuar shihet se ata janë larguar, madje duke i mbyllur bizneset e tyre, në kohën kur një ndër resorët kryesorë të qeverisë që merren me ekonominë, siç është ai i Zhvillimit Ekonomik, drejtohej nga këshilltari i tij aktual, Blerand Stavileci.

Veseli ka takuar disa të rinj, të cilët kanë lënë Kosovën dhe po ushtrojnë veprimtarinë e tyre në shtetet perëndimore, pasi sipas tyre Kosova nuk u ka ofruar këto mundësi.

Hulumtimet e KALLXO.com muajve të fundit kanë zbuluar edhe shumë punësime politike në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucione tjera. Përderisa Veseli ka premtuar luftimin e nepotizmit, zyrtarë të lartë të partisë së tij, deputetë e ministra, janë duke u përballur aktualisht me një proces gjyqësor që ka të bëjë me një aferë përgjimesh e cila zbuloi lidhje nepotiste e politike në punësimet në institucione e kompani publike.

Por Veselit i ka dështuar iniciativa për largimin nga partia të personave me aktakuza për korrupsion meqë kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku nuk ka pranuar ta lëshojë pozitën ndërkohë që Adem Grabovci, i akuzuar në aferën e përgjimeve Pronto, ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të PDK-së bashkë me të akuzuar tjerë.

Kadri Veseli tenton ta mashtrojë rininë që emigroi gjatë qeverisjes së PDK-së