Veseli: S'kam pritur goditje e hezitim për krijimin e Tribunalit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën që po mbahet për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin në fjalën e tij para deputetëve tha se nuk e ka pritur që do të merrë goditje e hezitim për këtë iniciativë.

“Si komb i shtypur ndrydhja dhe dyshimi në vete na ka përcjellur gjatë dhe shumë. Për idenë e krijimit të këtij Tribunali kam pritur hezitime e goditje që në politikë nganjëherë mund të jenë normale por nuk e kam pritur një qasje të tillë brutale mes nesh”, tha Veseli.

Ai po ashtu tha se Gjykata Speciale nuk është fare e lidhur me Tribunalin Ndërkombëtar dhe s’është për t’i ikur asaj.

“Kjo në Kosovë që nga dita e parë e inicimit deri më sot është me dy agjenda ajo e vërtetimit për ajo e vërtetimit të drejtësisë për pretendimet e ngritura dyshuese ndaj UÇK dhe ajo e prapaskenës të Serbisë që tenton ti balancojë krimet dhe ta përmirësojë imazhin vet në botë. Për të gjithë ata që  kanë dilema, inciativa për ngritjen e tribunalit për gjenocidin serb nuk lidhet fare dhe asgjë me Gjykatën Speciale”, tha Veseli.

“Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi është fakt i pakthyeshëm dhe duhej të kryente punën e vet pa anshëm dhe profesionalisht, ndërsa Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë po ashtu duhet të ndodh sepse i hap Evropës, Rajonit dhe Kosovës dhe Serbisë një perspektivë të re dhe premtuese”, shtoi kryeparlamentari duke shtuar se Kosova ka mjaftueshëm fakte për krijimin e këtij tribunali.

“E them më përgjegjësi të plotë, Kosova ka dëshmi posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb. Kosova ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizmin  dhe ekzekutimin shtetorë të gjenocidit në Kosovë”, tha Veseli.

Ai ju tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kush është përgjegjës për themelimin ose mos themelimin e Tribunalit  do ta tregojnë vetë sot këtu.

“Ne sot mund të hapim rrugën për themelimin e një tribunali që i jep drejtësi të kaluar dhe krijon kushte për paqe të qëndrueshme, dëshmitar ka boll vendosni vet nëse do ti thoni po apo ti thoni po heshtjes shpërfilljes dhe mohimit”, tha kreu i Kuvendit.