Tryeza për arsimin parashkollor | Foto: KALLXO.com

Veseli Premton Ndërtim të Çerdheve

Kadri Veseli në tryezën ku u diskutua për shërbimet cilësore në edukimin e hershëm të fëmijëve foli si të ishte drejtues qeverie kur tha se në të ardhmen do të investohet në ndërtim çerdhesh.

“Në qeveritë e kaluara kemi ndërtuar mbi 150 shkolla, qëllimi i jonë tash e tutje është ndërtimi i çerdheve të reja. Investimi në arsimin parashkollor është investim në kapitalin tonë njerëzor,” tha kryetari i Kuvendit.

Sipas tij, Kosova ka përqindjen më të vogël të fëmijëve deri në moshën 5 vjeçare që ndjekin edukimin parashkollor, ndërsa kjo përqindje është e fokusuar më shumë në zonat urbane.

Për këtë arsye Veseli tha se “ne duhet që ta bëjmë të detyrueshëm procesin e edukimit parashkollor”.

Ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha që gjatë vitit të ardhshëm do të ndërtohen mbi 20 çerdhe publike në Kosovë.

“Hallka e parë e nivelit arsimor është edukimi parashkollor. Ne do të rrisim numrin e kopshteve private e publike. Në vitin e ardhshëm do t’i ndërtojmë mbi 20 çerdhe publike. Ne jemi duke punuar edhe në artikulimin e kurrikulës për grupmoshat nga 3-6 vjeç,” tregoi ministri Bajrami.

Ai shtoi se do të rritet buxheti në mënyrë që të mundësohet një edukim i barabartë i të të dy gjinive.

Ministri Bajrami vitin e kaluar kishte deklaruar se MASHT-i i ka mbyllur rreth 25 çerdhe për shkak të mosplotësimit të standardeve.

http://kallxo.com/bajrami-ka-edhe-cerdhe-ilegale/